Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, nesër më 25 shtator, do të sjellë nga ora 20:00, premierën e shfaqjes ‘Tymnajë’, me tekst të dramaturgut amerikan Noah Haidle dhe regji të Agon Myftarit.
Shfaqja është një dramë familjare me elemente të realizmit magjik, që trajton tema universale si dashuria, lindja, vdekja, plakja dhe kalimi i kohës. Në qendër të rrëfimit është Violeta, një grua shtatzënë me binjakë, marrëdhënia e së cilës ndodhet në krizë me bashkëshortin e saj, Daniel. Përmes historisë së tyre, shfaqja ndërthur momente të jetës familjare me pyetje mbi humbjen, ekzistencën dhe marrëdhëniet njerëzore.
Në shfaqje interpretojnë aktorët: Alban Krasniqi, Rifat N. Smani, Hajat Toçilla, Kushtrim Qerimi, Alban Morina dhe Olisa Basha.
Ndërkohë, teatri po përgatit edhe një tjetër produksion në bashkëprodhim me Qendrën Multimedia, premiera e të cilit është planifikuar për nëntor, në kuadër të ‘Kosovo Theatre Showcase’.







