Malet e Kosovës të cilat pothuaj se janë mbushur me borë, e bashkë me të është shtuar edhe dëshira për të eksploruar natyrën e mbuluar nga bora e bardhë. Nëse nuk keni vendosur ende se ku do ti kaloni pushimet dimërore, këto janë tri vendet më të bukura për tu vizituar gjatë sezonit dimëror, në Kosovë:
Rugova, me një lartësi mbidetare rreth 1.500 metra, në rajonin e Rugovës së Pejës, ndodhet fshati Bogë, i cili është atraksioni më i madh turistik gjatë stinës së dimrit në Kosovë. Përveç skijimit, Boga të ofron shumë mundësi për të kaluar ditë të mrekullueshme aty. Duke filluar nga shtëpizat e shumta të veshura nga druri të vendosura atje në bjeshkët e Bogës, të cilat lëshohen me qira, atje mund të gjeni edhe hotele e restorante të ndryshme me pamje piktoreske.
Brezovica, e njohur si qendra më e madhe e skijimit në Kosovë, shtrihet në pjesën verilindore të Maleve të Sharrit, me 2.5000 metra lartësi mbi nivelin e detit. Edhe Brezovica, ofron për turistët shtëpiza të shumta të veshura nga druri, të cilat lëshohen me qira, por edhe atje mund të gjeni hotele e restorante me ushqime tradicionale.
Prevalla, vend ky i njohur ndryshe si një fshat turistik, më së shumti frekuentohet gjatë stinës së dimrit. Prevalla është e vendosur në Malet e Sharrit dhe ndodhet 28 kilometra larg Prizrenit, ndërsa shtrihet në një lartësi prej 1.800 metra mbi nivelin e detit. Nëse dëshironi ti kaloni pushimet dimërore atje, nuk do të gaboni, cilindo hotel apo shtëpizë që e rezervoni do të mbeteni të impresionuar nga bukuritë e këtij vendi.