Na kanë mbetur më pak se tre javë deri tek Viti i Ri dhe tani lirisht mund të japim një vlerësim për trendin e modës së vitit që po e lëmë pas, që padyshim ishte një vit i kombinimit të ngjyrave më të theksuara apo të ndezura.
Trendet e para nisën me sezonin pranveror, ku stilistët me krijimet e tyre punuan shumë me kontrastet e ngjyrave, gjë që nuk është saktësisht një koncept i ri, por është një pamje që gjithmonë ndihet e freskët dhe emocionuese.
Me këtë trend vazhdoi edhe stina e verës, në koleksionet e stilistëve nga Nju-Jorku, Londra dhe Milano, ku pamë kombinime të ngopura me ngjyra e diçka që ra në sy gjatë kësaj stine, ishte përdorimi i ngjyrës jeshile. Në sezonin e verës, stilistët e modës vendosën të përmbysin gjithçka dhe të përpiqen të përfshijnë këtë ngjyrë në tendencat për sezonin veror. Sa i përket koleksioneve vjeshtë-dimër, mund të themi që ka pasur risi, mirëpo trendi kryesor i kësaj sezoni ishte veshja me thurje me kombinime të ndryshme. Dimri erdhi edhe me xhaketat, setrat dhe xhemperët mbi masë ‘oversize’, që janë tendenca kryesore e të gjitha “tendencave”. Diçka tjetër e bukur që pritet të vazhdojë edhe në vitin tjetër, janë jelekët e thurur me përmasa të mëdha të kombinuara me këmisha me ngjyra të forta.
Për ju që ndiqni trendet e modës, duke marr parasysh se të gjitha shfaqjet e modës për sezonin pranverë/verë 2023 tashmë kanë përfunduar, duhet të mbani në mend se ngjyra vjollce ‘lilac’, ka zbukuruar gjithçka, nga veshjet e rëndomta e deri tek veshjet e rasteve të veçanta prandaj kur jeni gati për blerje konsiderojeni seriozisht këtë ngjyrë për vitin e ardhshëm.