Festivali ndërkombëtar i kitarës “Vihuela Guitar Fest”, ka përmbyllur me sukses edicionin e tij të dhjetë me radhë. Festivali, që është strehë e artistëve të rinj vendor, që njëherit është edhe qëllim kryesor i festivalit në fjalë, ka dhuruar emocione të shumta me tinguj magjik nga tre kitaristët: Lekë Morina, Ehad Dula dhe Urim Maliqi.
Me performanca që zunë vend në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, festivali “Vihuela Guitar” mblodhi një numër të madh të audiencës, të cilët ishin dëshmitarë një atmosfere dhe performancash që i përafrohet perfeksionit. Me duartrokitje të shumta, si shenjë falënderimit natyrisht për kontributin e madh në kulturën e vendit, u mirëprit drejtori artistik i festivalit, z. Naser Dula, i cili duke i falënderuar të pranishmit dhe duke lartësuar bashkëpunëtorët e festivalit tha: “Për mua si themelues dhe si drejtor i festivalit është një kënaqësi shumë e madhe, që ky vërtetë festival ka arritur të jetë jetik dhe falënderimi i takon gjithë atyre që na kanë përkrahur çdo herë.”
Performancën me tinguj magjik e filloi kitaristi Lekë Morina, i cili interpretoi veprën e titulluar “Prelude, Sarabande, Gigue – BWW 996” të kompozitorit Johann Sebastian Bach dhe “Prelude 1,8” të kompozitorit Claude Debussy. Në skenë më pas paraqit me tinguj magjik të “Introduction & Allegretto”, “Etude no.6” dhe “Usher-Waltz”, interpretuar nga kitaristi Ehad Dula. Ndërkohë, kitaristi Urim Maliqi, interpretoi veprat e mrekullueshme “Grave – Violin Sonata II, BWW 1003” e kompozitorit Johann Sebastian Bach, “Etude no.4” e kompozitorit Giulio Regondi dhe “Preludi, Cançoneta, Dansa” nga Vicente Asencio.
Për të përmbyllur këtë mbrëmje muzikore, doli edhe një herë drejtori i artistik i festivalit “Vihuela Guitar”, Naser Dula, i cili fillimisht shpërndau mirënjohje për përkrahësit e festivalit për vite me radhë siç ishin: Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Radio KFOR-i.
Mirënjohjen për Radio KFOR-in e pranuan Menaxherja e Radio KFOR-it, znj. Emina Hyseni-Shala, Redaktorja, Mirëditë Meha Bajrami si dhe pjesëtarët e KFOR-it, pjesë e ekipit të Radio KFOR-it.
Radio KFOR-i, me këtë mirënjohje dëshmoi përkrahjen dhe hapësirën e madhe në të cilën zë vend kultura, mbështetja e krijimtarisë së artistëve si dhe pasqyrimi i artit në Kosovë.
Ndryshe, festivali “Vihuela Guitar Fest” organizohet në kuadër të shkollës së muzikës “Vihuela”, e cila këtë vit shënon 20 vjetorin e themelimit të saj.