Në ditët e sotme, bota e podcast-eve po ndryshon me shpejtësi të madhe. Dhe me këtë shpejtësi, trendet e reja po vijnë thuajse çdo muaj, ku po përqafohen nga të gjithë njerëzit, pa dallim moshe apo gjinie.
Podcaste që fokusohen në shumë tema specifike po bëhen gjithnjë e më të njohura. Këto podcaste u drejtohen audiencave të cilat janë të interesuara në çështje të veçanta, duke ofruar përmbajtje të personalizuar dhe të thellë. Kemi rastin e emisioneve “The Joe Rogan Experience” dhe “Serial” që kanë vendosur një trend të ri duke ftuar profile që kanë hobi të pazakonshme. Ky ndryshim është pranuar tejmase nga audienca sepse i lejon që të mësojnë gjëra që nuk kanë dëgjuar kurrë më parë.
Edhe në Kosovë, ndryshimi është evident, ani pse si vend ka pak kohë që e ka përqafuar frymën e podcasteve. Dardan Idrizi, autor i podcastit sportiv “nBanesPodcast” ka folur për Radio KFOR-in duke u shprehur se në vendin tonë, podcastet kanë nisur vonë por që kanë ndihmuar në lirimin e mysafirëve nga komplekset:
“Jam i lumtur që tek ne po përhapet krijimi i podcasteve dhe që po ndiqen trendet e fundit, pasi në një farë mënyre, njerëzit po “lirohen” nga komplekset dhe frika për me tregu se çfarë bëjnë më konkretisht ose për fushën të cilës i takojnë“.
Ndër të tjera, autori i “nBanesPodcast” u shpreh: “Në Kosovë mendoj që ka shumë njerëz kreativ, podcast-makers të mirë, por që nuk janë shfaqur deri tani vizualisht, vetëm në radio. Dhe së fundmi kjo po ndryshon, pasi radiot po publikojnë edhe video, me kontent shumë të lezetshëm”.
Poashtu, po e shohim një ndryshim që ‘’Podcastet’’ kanë ulur ndjeshëm kohën e episodeve. Ndërkohë që podcastet tradicionale shpesh shkonin deri në një apo dy orë, tash episodet nuk po e kalojnë 15 minutëshin. Kjo po vjen si arsye e interaktivitetit mes të ftuarit dhe intervistuesit ku e gjithë biseda po fokusohet vetëm në një përmbajtje të caktuar, pa dal jashtë saj.
Një trend i ri është edhe formati solo i podkasteve, ku një drejtues udhëheq të gjithë episodin. Kjo mundëson një fleksibilitet më të madh dhe një përvojë më personale për dëgjuesit dhe shikuesit.
Kështu, podcastet po evoluojnë me shpejtësi dhe po përshtaten për të përmbushur nevojat dhe dëshirat e audiencës, duke ofruar përvoja më të bukura për dëgjuesit dhe mundësi të reja për krijuesit.







