20 shtator, është data kur shënojmë “Ditën Botërore të Pastrimit”, ditë kjo që shënohet tradicionalisht edhe në Kosovë, kryesisht nga organizata joqeveritare Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën. Edhe në organizimin e sivjetmë, secili nga ne mund të bëhet pjesëmarrës, pasi nën moton “T’i Japim Vendit Ngjyra”, të gjithë janë të ftuar pa dallim, që të dalin dhe të pastrojnë hapësirat e ndotura nëpër lagjet e tyre, trotuaret, brigjet e liqeneve dhe lumenjve, parqet nacionale dhe bjeshkët.
Përveç misionit paqeruajtës në Kosovë, ashtu sikurse në vitet paraprake, fushatës për pastrimin e Kosovës, i janë bashkuar edhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it, që mbeten një nga mbështetësit dhe partnerët kryesore të “Ditës Botërore të Pastrimit”.
Duke falënderuar misionin e KFOR-it për mbështetjen e vazhdueshme, organizata joqeveritare Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën, është shprehur: “Falë këtij bashkëpunimi, do të kemi mundësi që këtë vit të realizojmë një aksion të madh me një ndikim të rëndësishëm për mjedisin dhe komunitetin tonë.”
Ky aksion global i pastrimit, i cili është pjesë e kalendarit mjedisor të Kombeve të Bashkuara, ka për qëllim të mobilizojë njerëzit anembanë botës për të pastruar mjediset e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm.
Siç ka njoftuar Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën, për ata që duan të marrin pjesë në Prishtinë, grumbullimi i vullnetarëve do të bëhet, më 20 shtator, nga ora 10:00 në sheshin Zahir Pajaziti. Pas grumbullimit, pjesëmarrësit do të shpërndahen në 5 lokacione të ndryshme, për pastrimin e hapësirave të caktuara.
Përndryshe në vegzën e mëposhtëm mund ti gjeni detajet e agjendës dhe regjistrimit për aktivitetin në fjale: https://tapastrojmekosoven.org/
#tapastrojmekosoven #worldcleanupday #KFOR #letsodit #makeroomforlife







