Çdo vit, planeti jonë prodhon miliarda ton burime natyrore, ndërsa disa prej tyre po shkojnë edhe drejt shterimit. Për këtë arsye, ekspertët dhe organizatat mjedisore bëjnë thirrje që mënyra se si i shohim mbeturinat duhet të ndryshojë, jo si diçka për t’u hedhur, por si një mundësi për t’u ripërdorur dhe shndërruar në burime të reja.
Prandaj, data e sotme 18 mars, shënon “Ditën Globale të Riciklimit”, një nga iniciativat më të rëndësishme ndërkombëtare që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e riciklimit në ruajtjen e burimeve natyrore dhe mbrojtjen e planetit. Kjo ditë u krijua në vitin 2018, për të theksuar rolin kyç që luan riciklimi në sigurimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për tokën.
Sipas të dhënave globale, dekada e fundit ka qenë më e nxehta e regjistruar ndonjëherë, duke e vendosur botën përballë një emergjence klimatike. Nëse nuk ndërmerren ndryshime të shpejta dhe të rëndësishme, pritet të vazhdojë rritja e temperaturave globale, shkrirja e akullnajave, shtimi i zjarreve në kontinente të ndryshme dhe shpyllëzimi i shpejtë.
Riciklimi nuk është vetëm një veprim i vogël individual, por një hap i madh drejt mbrojtjes së planetit tonë.







