Çdo vit, më 13 qershor, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për Albinizmin’, një ditë e rëndësishme që synon të promovojë të drejtat e njerëzve me albinizëm dhe të rrisë ndërgjegjësimin për sfidat dhe diskriminimin me të cilin ata përballen në shumë vende të botës.
Albinizmi është një gjendje e rrallë gjenetike që ndikon në prodhimin e melaninës, pigmentit që u jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve. Personat me albinizëm kanë mungesë ose sasi shumë të ulët të melaninës, gjë që i bën ata më të ndjeshëm ndaj rrezeve të diellit dhe probleme me shikim.
Përtej sfidave mjekësore, individët me albinizëm shpesh përballen me paragjykime, margjinalizim, diskriminim dhe në disa raste ekstreme dhunë të tmerrshme dhe përndjekje, veçanërisht në disa vende të Afrikës, ku besëtytnitë i shohin ata si mbartës të fuqive magjike.
Tema e cila shënon këtë vit ‘Ditën Ndërkombëtare të Albinizmin’, është ‘Barazi për të gjithë, të shohim përtej ngjyrës’, e cila fton shoqëritë që të shkojnë përtej paragjykimeve sipërfaqësore dhe të ndërtojnë një botë ku diversiteti gjenetik dhe fizik nuk është burim ndarjeje, por pasuri. Ajo nxit përfshirje më të madhe të njerëzve me albinizëm në shoqëri, në edukim, punësim dhe në çdo aspekt të jetës publike.







