Miliona njerëz në mbarë botën vazhdojnë të përballen me diskriminim për shkak të origjinës, gjinisë, moshës, fesë, orientimit seksual apo statusit shëndetësor.
Në këtë realitet global, data e sotme 1 Mars, shënon ‘Ditën e Mosdiskriminimit’, një iniciativë e ndërmarrë nga UNAIDS-i, që promovon barazi, përfshirje dhe respekt për çdo individ. Kjo ditë na kujton se diskriminimi nuk është thjesht një përvojë personale, mirëpo një problem shoqëror që pengon zhvillimin, cenon dinjitetin njerëzor dhe dëmton mirëqenien kolektive.
Në shumë vende të botës, diskriminimi vazhdon të shfaqet në forma të ndryshme, si në arsim, në tregun e punës, në shërbimet shëndetësore dhe në jetën sociale. Kur njerëzit përjashtohen apo paragjykohen për shkak të identitetit të tyre, dëmtohet jo vetëm jeta e tyre, por edhe kohezioni i gjithë shoqërisë.Simboli i kësaj dite është flutura – një shenjë kjo transformimi dhe shprese. Ajo përfaqëson ndryshimin që bëhet i mundur kur zgjedhim përfshirjen në vend të përjashtimit dhe respektin në vend të paragjykimit.
Sepse një shoqëri më e drejtë fillon me një zgjedhje të thjeshtë; të trajtojmë njëri-tjetrin me dinjitet dhe barazi.







