‘Mural Fest Kosova’ në bashkëpunim me ‘Void Projects’, kanë ftuar të gjithë fotografët dhe fotoreporterët e interesuar që të marrin pjesë në thirrjen e hapur për foto reportazh, e cila do të jetë e hapur deri më 21 shtator, 2020.
Këto fotografi më pas do të shfaqen në një ekspozitë, e cila do të mbahet më 25 shtator, në Ferizaj, me tematikën ‘Ndryshe’. Në një përgjigje për Radio KFOR-in, drejtoresha e Festivalit ‘Mural Fest Kosova’, Lebibe Topalli, tha se janë të lumtur që gjithçka po ecën siç e kanë planifikuar, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia ‘Covid-19’ dhe shtoi: “Edicionin ‘Ndryshe’, e kemi filluar me muralet dhe punëtoritë artistike, ndërsa tani kemi hapur thirrje për fotografët e interesuar që të jenë pjesë e këtij Festivali. Kuratorë janë Hazir Reka nga ‘Mural Fest’ dhe Laura Aurallan nga ‘Void Projects’, e cila vjen nga Parisi. Ftohen të gjithë të interesuarit të dërgojnë fotografitë e tyre, sepse jam shumë e sigurt se ja vlen të jenë pjesëmarrës të eventit tonë. Edhe pse në kohë pandemie, jemi shumë të lumtur që gjithçka po ecën si e kemi planifikuar. Një Festival shumë profesional e cilësor.”
Të gjithë të interesuarit për t’u bërë pjesë e kësaj ngjarjeje, mund të dërgojnë deri në tri fotografi digjitale, vetëm bardhë e zi, në formatin ‘JPG’. Të gjitha informatat e kërkuara, ju mund t’i dërgoni në e-mailin: info@muralfest.org