Të gjithë entuziastët e poezisë, të dielën, më 13 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00, do të kenë mundësi që të lexojnë poezitë që i kanë lënë në fletore apo që ia kanë kushtuar dikujt. Kjo do të bëhet në kuadër të natës poetike që do të organizojë Qendra ‘Termokiss’, e cila do të mbahet online në ‘Zoom’ si dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin social ‘Facebook’.
Organizatorja e komunitetit në ‘Termokiss’, Fjolla Brisku, për Radio KFOR-in ka treguar se cili është qëllimi i organizimit të kësaj nate poetike: “Online Slam Poetry ose Çlirim poetik ka për qëllim t’promovojë shpirtrat që gjejnë çlirim emocional përmes poezisë e prozës, t’shkrume për me u lexu e performu (Spoken word poetry). Ky lloj i t’shprehunit, është formë relativisht e re e poezisë, e sidomos në Kosovë, ku veç s’voni organizimet e tilla kanë fillu me marrë vëmendjen e t’rinjve t’kryeqytetit. I ftojmë të gjithë entuziastët e poezisë të marrin pjesë të dielen (13 dhjetor), nga ora 19:00, në këtë natë poetike për me i lexu poezitë që i kanë lënë në fletore ose ato poezi që ia kanë kushtu dikujt.”
Të gjithë të interesuarit për t’u bërë pjesë e kësaj ngjarjeje, një gjë të tillë mund ta bëjnë përmes ‘Zoom’, në vegëzën: https://us02web.zoom.us/j/87553644613