Pas suksesit që pati viti ndërkombëtar i maleve në vitin 2002, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli datën e sotme, 11 Dhjetorin ‘Ditë Ndërkombëtare të Maleve’. Kjo ditë shënohet çdo vit me një temë të caktuar, në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të maleve, ndërsa tema e këtij viti është ‘Biodiversiteti malor’.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi kryetarin e ‘Klubit Alpin Prishtina’, Nazmi Hasanramaj, i cili tregoi për aktivitetet të cilat organizohen në malet tona: “Klubi Alpin Prishtina vjen me një koncept të aktiviteteve të cilat zhvillohen në natyrë. Këtë vit nuk ka ndonjë ndryshim, por për shkak të pandemisë ne kemi organizime më të pakta dhe në mënyrë të kujdesshme. Sa i përket ‘Ditës Ndërkombëtare të Maleve’, çdo vit njerëzit po lidhen më shumë me malet edhe pse gjendja nuk është edhe aq e mirë e maleve për shkak të dëmtimit të tyre, mirëpo ne gjithmonë mundohemi me i mbrojte sepse vetëm njerëzimi mundet me i rikthy në gjendjen të cilën kanë qenë.”
‘Dita Ndërkombëtare të Maleve’ shënohet për të rritur ndërgjegjen mbi rëndësinë e maleve në jetën tonë dhe për të theksuar rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të maleve.