Për dallim prej viteve tjera, Janari duket se nuk do të jetë muaji më i ftohtë i vitit 2020.
Ka kaluar më shumë se gjysma e këtij muaji dhe reshjet e borës deri më tani kanë qenë fare të pakta.
Kjo po cilësohet si një nga efektet e ndryshimeve klimatike që veçse kanë filluar të vërehen, thotë për Radio KFOR-in, koordinator në “GAIA Kosovo”, Granit Gashi,. “Në bazë të të dhënave që janë mbledhur së fundmi në Kosovë, ka një trend të rritjes së temperaturave dhe nivelit të tharjes. Kemi reshje më pak, ditët janë më gjatë me diell dhe nxehtësi, thatësi më të madhe, e të tjera. Sipas të dhënave tona, Kosova e ka trendin më të lartë të nxehjes në krahasim me shtetet tjera të Ballkanit, e kjo është shqetësuese. Duhet të përmendim faktin se ndryshimet klimatike mund të shkaktojnë edhe zhdukjen e disa llojeve të gjallesave, ku sipas trendit të fundit, çdo ditë zhduken rreth 200 specie në botë. Ky është një fenomen që është vënë në pah akoma më shumë me krizën e fundit në Australi, ku për disa javë janë zhdukur rreth një milliard kafshë. Këto gjëra po tregojnë se jemi afër një krize globale”, tha Gashi për Radio KFOR-in.
Tutje, ai ka përmendur disa nga masat që mund të ndërmirren për minimizimin e efekteve të kësaj krize: “Kosova veçse ka probleme me ujë, e në mungesë të reshjeve, ky problem do të rritet akoma më shumë. Hapi i parë që mund të ndërmirret është që të ngritet efiçienca në të gjitha sistemet e distribuimit: të ujit, të ujërave të zeza, të rrymës etj. Më pas, duhet të ulet konsumi i përgjithshëm. Gjërat që i kemi trajtuar me komoditet deri më tani, mos ta bëjmë më një gjë të tillë. Për shembull, ujin ta shohim si resurs që i vie fundi. Duhet të ndërmirren masa që ujërat e zeza të mos derdhën në lumenj”, përfundoi ai.