Zhvillimi i hovshëm teknologjik na ka ‘kushtëzuar’ të gjithëve që pavarësisht moshës, që të kërkojmë aftësim në këtë fushë. Duke pasur një rini shumë të integruar në teknologji dhe duke qenë një treg premtues në këtë fushë, në Kosovë mund të gjejmë shumë kurse për aftësim teknologjik.
Shkolla ‘New Age School’, është një adresë që ofron mundësi të mësimit të programimit, e këtë e kemi kuptuar nga intervista që Radio KFOR-i ka zhvilluar me profesorin e Gjuhës Angleze dhe Gjuhës Shqipe, z. Ruzhdi Krasniqi, i cili tha: “Në ‘New Age School’, krahas mësimit të gjuhëve të huaja, ne ofrojmë edhe programimin, kryesisht për moshat 7 deri në 18 vjeç. Mësimi në teknologji është domosdoshmëri. Është e nevojshme për shkathtësitë e së ardhmes, që krahas gjuhëve, tash edhe aftësitë në teknologjinë të përvetësohen dhe janë aftësi të kërkuara nga nxënësit të cilët natyrisht i përshtaten kërkesave të kohës. Sa i përket kurseve, varësisht grup moshave, kemi kurse të ndryshme, si: ‘Kalorësi i Kodimit’, ‘Njohuri digjitale’, ‘Programim vizual’, ‘Krijim i videove’, ‘Dizajnim i lojërave’, ‘Krijim i uebfaqeve’, ‘Python Start’, ‘Python Pro’, ‘Zhvillm i Frontend-it’, etj.”
Programimi konsiderohet si alfabet i kohës digjitale, prandaj për të qenë fëmijët tuaj në hap me kohën, angazhoni ata në mësimin e programimit, qysh sot.