‘Depresioni i janarit’, është shprehje e njohur nga të gjithë. Me vite e vite, muaji janar është konsideruar si muaji më i zymtë, duke marrë parasysh që vjen menjëherë pas një periudhe shumë të ngarkuar të festave të fund vitit. Nëse edhe ju po ndiheni me mungesë energjie për të vazhduar me punët që i keni lënë në gjysmë, ose thjesht nuk po gjeni motiv, atëherë jeni në mesin e miliona njerëzve që po kalojnë pikërisht në këtë situatë. Prandaj, të pranuarit e ndodhjes në një situatë të tillë dhe vetëdija që është periudhë që përfshinë njerëzit kudo në botë, na bënë që veçse tash të jemi një hap para, për të gjetur motivimin. Për të pasur këshilla më konkrete, për të tejkaluar zymtësinë e muajit janar, Radio KFOR-i ka intervistuar Psikologen dhe Terapisten Stimuluese në Ambulancën Specialistike të Psikologjisë Klinike “Visar A. Sadiku”, znj. Vlora Fejza e cila tha: “Sigurisht që secili prej nesh biem dakord, se viti që e lamë pas, ka qenë i mbushur me ngjarje të ndryshme të cilat gjithsesi ka lënë gjurmë tek ne. Duke filluar nga gjërat pozitive e deri tek ato negative, me të cilat është përballur secili prej nesh. Ka shumë arsye që njeriu të ndihet keq dhe të bie në gjendje depresive pas festave të fund vitit. Një nga gjërat që na bënë të ndihemi jo edhe aq mirë është pakënaqësia me veten, ëndrrat dhe planet e parealizuara. Prandaj, unë sot po ndaj me ju disa këshilla të cilat do t’ju vijnë në ndihmë për të pasur një fillim vit, sa më të suksesshëm dhe me sa më pak stres: kujdesuni sa më shumë për veten tuaj, krijoni një listë me objektiva që doni të përmbushni në këtë Vit të Ri, reflektoni për 12 muajt që kanë kaluar, dhuroni më shumë dashuri, kaloni më shumë kohë me të afërmit tuaj, fitoni dhe praktikoni qetësinë tuaj, kushtojini vëmendje një stili të shëndetshëm jetese dhe mundohuni t’i shihni situatat stresuese nga një këndvështrim më pozitiv.”
Këshillat e lartpërmendura, janë hapa të thjeshtë që mund ti ndërmarr secili prej nesh, për ta bërë janarin një muaj po ashtu të bukur dhe kujtoni çdo herë, se zymtësia e janarit është fazë kalimtare.