Teatri Kombëtar i Kosovës ka vazhduar të jetë shumë aktiv edhe në kohë pandemie, duke sjellë shfaqje të shumta për publikun dhe premiera teatrale dhe të baletit pothuajse çdo muaj. Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me Drejtorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Naser Shatrolli, i cili foli mbi rëndësinë e artit skenik duke zbuluar edhe premierën e veçantë të muajit prill:
“Edhe pse jemi në situatë pandemie rëndësia e teatrit është gjithmonë e një kuptimi të veçantë në kontekstin kulturor. Një relacion i drejtpërdrejtë me audiencën dhe ndjeshmërinë shpirtërore ku njerëzit vijnë për tu çliruar nga rutina e tyre. Ne kemi punuar edhe në këto rrethana pandemie me 40% të kapacitetit, ku kemi sjellur shfaqje dhe kemi mbajtur të gjallë lidhjen me publikun gjithmonë duke respektuar masat anti-covid. Të premten e ardhshme (09.04) do të kemi shfaqjen premierë për artistin e madh të skenës muzikore dhe tatrore, Muharrem Qena. Shfaqja ‘La RREM’ nga Arian Krasniqi dhe me regji të Kushtrim Koliqit, është një shfaqje shumë e veçantë e shkruar enkas për artistin dhe unë ftoj të gjithë njerëzit ta vijnë dhe ta shohin”.
Teatri i Kosovës vetëm gjatë muajit prill do të shfaq për publikun 17 shfaqje, duke përfshirë edhe premierën e baletit ‘Entre Dos Aguas & Troy Game’ me skenografi të Robert North, që do të shfaqet me 15 prill të këtij viti.