Nesër (15 shkurt) në skenën e teatrit të qytetit të Prishtinës, ‘Dodona’, do të zë vend shfaqja për fëmijë “Pantallonat e Kangusë”. Menaxheri i teatrit ‘Dodona’, Valedet Rama, në një prononcim për Radio KFOR-in tregon se çfarë trajton shfaqja: “Shfaqja e trajton problemin e ngacmimeve në mes të fëmijëve dhe mënyrën se si fëmijët e kuptojnë se kanë gabuar dhe pastaj kërkojnë falje për gabimin që e kanë bërë. Arsyeja më e madhe që fëmijët të vijnë për të parë këtë shfaqje bashkë me prindërit është të shohin se çfarë ndodhë në tregimin tonë, ku për personazhe janë përzgjedhur të jenë kangurët, të cilët e tregojnë tregimin dhe në një formë na tregojnë se si duhet të sillemi duke na bërë me dije se ne nganjëherë ngutemi me shokët po pastaj e kuptojmë gabimin dhe kërkojmë falje në mënyrë që ta kthejmë shoqërinë në vendin si ka qenë.”
Teksti i shfaqjes “Pantallonat e Kangusë”, është shkruajtur nga Vesa Qena, ndërsa regjinë e ka bërë Melihate Qena. Kukullat e shfaqjes vijnë nga Ayten Huzur Öğütcü e cila është mjeshtëre e kukullave dhe skenografe, muzikën e ka bërë Liburn Jupolli, ndërsa në shfaqje luajnë aktorët Avdi Azemi, Alketa Sylaj, Faik Gashi, Donikë Ahmeti, Avni Hoti dhe Roza Berisha Fejzullahu.
“Pantallonat e Kangusë” do të shfaqet nesër në dy termine, nga ora 12:00 dhe nga ora 13:00, ndërsa rezervimin mund ta bëni në faqen zyrtare të teatrit Dodona: https://www.facebook.com/teatri.dodona/