Të rinj të Komunitetit Shqiptar dhe atij Serb në Mitrovicë po vazhdojnë mbajtjen e kurseve online për të mësuar gjuhën shqipe dhe serbe, në kuadër të projektit që kishte nisur më 10 mars 2020, nga Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë (IBCM), në bashkëpunim me Ekipin Ushtarak dhe Civil (CIMIC) të KFOR-it.
Falë entuziazmit dhe përkushtimit të madh të të rinjve të Komunitetit Shqiptar dhe atij Serb për të mësuar gjuhën e njëri – tjetrit, kurset kanë vazhduar online, pavarësisht situatës së krijuar së fundmi nga pandemia ‘Covid 19’. Aktualisht, kurset e gjuhës shqipe po i ndjekin 38 pjesëmarrës, ndërsa kurset e gjuhës serbe po ndiqen nga 23 pjesëmarrës. Kurset po mbahen nga dy mësues të kualifikuar për te dy gjuhët. Këto kurse janë pa pagesë dhe do të realizohen në dy cikle tre mujore, gjatë të cilave të rinjtë do të ndjekin ligjëratat për gjuhën që kanë zgjedhur për ta mësuar. Cikli i parë i ligjëratave ka nisur në mars dhe do të vazhdojë deri në maj 2020, ndërsa cikli i dytë do të mbahet nga muaji shtator deri në muajin nëntor 2020.
Nga Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë kanë bërë të ditur se pas tejkalimit të pandemisë ‘Covid 19’, këto kurse do të vazhdojnë të zhvillohen normalisht në objektet e tyre. Ky projekt për mësimin e gjuhëve është shumë i rëndësishëm për KFOR-in, sepse dëshmon se përmes projekteve të CIMIC-ut, KFOR-i po kontribuon në mënyrë të paanshme për mirëqenien e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
Meqenëse gjuha është çelësi që iu hap rrugën të rinjve, të gjitha gjeneratat e reja duhet të shpërndajnë energjinë dhe pozitivitetin e tyre për të mësuar gjuhën e njëri tjetrit. Vetëm kështu mund të kontribuojmë të gjithë në krijimin e një shoqërie më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse.







