Më 4 mars, në ambientet e ‘7Arte’, në qytetin e Mitrovicës, KOSOVO 2.0, do të mbajë punëtori përmes së cilës të rinjtë do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për gazetarinë, kompetencat digjitale, mjetet që mund t’i përdorin për ta luftuar çrregullimin informativ –– keqinformimin dhe dezinformimin. Për të kuptuar më shumë rreth këtij aktiviteti, Radio KFOR-i intervistoi menaxheren e projektit në K2.0, znj. Aulonë Kadriu, e cila tregoi për qëllimin e kësaj punëtorie: “Qëllimi i kësaj punëtorie është që të inkurajojë të rinjtë dhe të rejat e qytetit të Mitrovicës, që të angazhohen për ta sfiduar çrregullimin informativ, sidomos atë që lidhet me etninë. Ne, në K2.0 priremi nga ideja që informacioni i drejtë dhe i saktë çon në shoqëri të angazhuar, prandaj përmes kësaj punëtorie dëshirojmë të bisedojmë me të rinjtë e të rejat e Mitrovicës, së pari për mënyrat se si mund të dallohet çrregullimi informativ, e së dyti se si ata apo ato si qytetarë/e kanë fuqinë ta kundërshtojnë këtë çrregullim.”
Siç na njoftoi tutje znj. Kadriu, në këtë punëtori do të diskutohet për disa shembuj të çrregullimit informativ dhe në bashkëbisedim me pjesëmarrësit, do të provojnë t’i de-konstruktojnë ato raste: “Së pari, duhet ta kuptojmë se përse një informatë e paraqitur në sferën online është dezinformatë. Në këtë linjë, do të diskutojmë edhe për mekanizmat ekzistues të cilët mund t’i shfrytëzojmë kundër këtij çrregullimi informativ. Po ashtu, do të shohim dokumentarin e shkurtër të përgatitur nga K2.0 në bashkëpunim me ‘Unseen Movies’, të quajtur “As në jug, as në veri” –– dokumentar ky që përcjell historitë e dy të rinjve, njëri nga Mitrovica e Veriut dhe tjetri nga Mitrovica e Jugut. Përmes këtyre dy historive, do të provojmë të zgjerohemi tutje, në të kuptuarit ndëretnik në Mitrovicë, ndikimin e medies në mënyrën se si ndër-veprojmë me njëri-tjetrin dhe mundësitë që i kemi përpara, për ta reduktuar distancën që jo rrallë ekziston midis jugut e veriut në Mitrovicë”, tha znj Kadriu.
Sa i përket pritshmërisë që ka K2.0 për këtë punëtori, Menaxherja e Projektit tha: “Pritshmëritë tona janë që të rinjtë e të rejat, të marrin pjesë në këtë punëtori, të jenë të aftë për ta dalluar lajmin e saktë dhe atë keqdashës, që mëton të përçojë e nxis urrejtje. Përpos ta dallojnë, presim që ata të angazhohen kundër kësaj përmbajtjeje dhe të zhvillojnë shkathtësitë që t’i mendojnë këto përmbajtje në mënyrë kritike. Po ashtu, duke ua mundësuar këtyre të rinjve që të shkruajnë për K2.0, lidhur me temën e të kuptuarit e identitetit ndëretnik, mendojmë që kjo punëtori ka potencial të krijojë hapësirë për të rinjtë që t’i shprehin dilemat, sfidat dhe reflektimet e tyre rreth çështjes.”
Ndërkohë, në mesazhin e saj, drejtuar të rinjve në Kosovë, znj. Kadriu tha: “Mesazhi që synon të përçojë kjo punëtori, është që të rinjtë kanë fuqi dhe potencial të sfidojnë narrativet përçarëse. Duke e ditur këtë, K2.0 punon që t’i pajis ata me mjete dhe dije të reja, të cilat mund t’i shfrytëzojnë për t’i kundërshtuar forcat të cilat tentojnë të shpërndajnë urrejtje, përmes çrregullimit informativ.”
Ndërkohë, të gjithë të rinjtë që duan t’i bashkohen kësaj punëtorie, kanë afat deri më 19 shkurt, që të aplikojnë përmes linkut të mëposhtëm:
Mitrovicë: Thirrje për pjesëmarrje – Kosovo 2.0 (kosovotwopointzero.com)