Teknologjia sot ka hapur shumë dyer për shumë fusha, për të gjitha moshat. Mirëpo, përderisa shumica e të rinjve e kanë të lehtë të përdorin teknologjinë moderne, nga ana tjetër, të moshuarit mund ta kenë të vështirë të kuptojnë se si funksionon teknologjia moderne ose se si mund të përdoren këto pajisje. Se duhet patjetër t’u ndihmojmë më të moshuarve në përdorimin e teknologjisë, e thotë për Radio KFOR-in edhe Liri Efendiu, që vjen nga fusha e teknologjisë dhe është themelues i aplikacionit ‘Dhuro’: “Të moshuarve duhet patjetër që t’u ndihmojmë me teknologjinë, sidomos nëse aplikacionet ose platformat janë të krijuara nga vende të ndryshme të botës dhe në gjuhë të ndryshme. Shembull, Viber, si një nga aplikacionet më të përdoruara nga të gjitha moshat, pastaj edhe shume aplikacione të tjera, kur e dimë që këto platforma janë të mundshme në gjuhën angleze e edhe nëse janë në gjuhën shqipe, shpesh përdorin terminologji të cilat janë të pakuptueshme për moshat e shtyra.”
Zotëri Efendiu ka porositur të gjithë zhvilluesit e aplikacioneve ose platformave në Kosovë, që të kujdesen, krahas të tjerave, ta integrojnë edhe gjuhën shqipe në platformat e tyre dhe ato t’i bëjnë të lehta për përdorim, në mënyrë që të jenë të kapshme për të gjitha moshat.