Rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën se si të rinjtë komunikojnë, mësojnë dhe ndërveprojnë me botën përreth tyre, por ndikimi i tyre tek të rinjtë është një temë që vazhdimisht përcillet me debate e shqetësime. Siguria e të rinjve, kur janë të qasur në rrjete sociale, varësia por edhe ndikimi joadekuat ose paraqitja e “rreme” e jetës së disa përdoruesve, janë vetëm disa nga shqetësimet e prindërve. Në një prononcim për Radio KFOR-in, Znj. Anyla Ejupi, si nënë dhe përdoruese e rrjeteve sociale, tha se përdorimi i rrjeteve sociale duhet të bëhet në mënyrë të kontrolluar: “Çka do të veçoja, është se shoqëritë në përgjithësi po kalojnë shumë kohë në rrjete sociale. Përveç kësaj, varësia në rrjete sociale, pastaj cenimi i sigurisë, janë shqetësime që vazhdimisht na përcjellin. Unë mundohem që internetin ta përdor më shumë për të lexuar, p.sh. ndonjë libër, e për të rinjtë, për shkak që kalojnë shumë më shumë kohë në rrjete sociale, kam frikë edhe nga manipulimet, lajmet e rreme dhe ‘humbja e realitetit’. Pikërisht kjo më bënë që unë si nënë, të jem e shqetësuar se mos të rinjtë po i humbin vlerat njerëzore.”
Studentja në Fakultetin Juridik, znj. Fjolla Kadrija, për Radio KFOR-in lidhur me këtë temë, theksoi se ashtu sikurse pjesa dërmuese e të rinjve, ajo kalon shumë kohë në rrjete sociale për të përcjellë trendet në shumë fusha të jetës, mirëpo që mësimet nuk i lë asnjëherë anash: “Unë pasi jam edhe studente, kur është fjala për mësimet jam e pa kompromis, nuk lë anash mësimet për rrjete sociale, për më tepër jam shumë e vetëdijshme që përmbajtjet e paraqitjeve të shumë influencuesve edhe mund të jenë të rreme.”
Ndërkohë, Content Creator z. Lorik Kajtazi, lidhur me përmbajtjen e asaj që paraqesin influencuesit, për Radio KFOR-in, tha: “Ne, çdo ditë e kemi mundësinë që t’ia ndreqim apo edhe t’ia prishim dikujt ditën, qoftë me fjalë apo edhe me veprat që i bëjmë, andaj është shumë e rëndësishme se çka postojmë nëpër rrjetet tona sociale. Çka duhet të bëjmë ne, është që të provojmë që me anë të përmbajtjes tonë që e postojmë, të sjellim pozitivitet, të reflektojmë ëmbëlsi apo mirësi në mënyrë që ata që shohin përmbajtjet tona, të kënaqen dhe të qeshin duke na shikuar neve.”
Rrjetet sociale kanë ndikime të shumta dhe të ndërlikuara tek të rinjtë. E pavarësisht gjithçka, ato ofrojnë mundësi të shumta për kërkime, është e rëndësishme që të rinjtë të jenë të ndërgjegjshëm për rreziqet e mundshme dhe të zhvillojnë aftësi për përdorimin e përgjegjshëm dhe të balancuar të tyre.