Kompania Globale e Transformimit Digjital ‘KIM+CARTA’, pritet të afrojë në familjen e madhe edhe një kompani nga Kosova. Kompania ka njoftuar që synon të blejë kompaninë kosovare të zhvillimit softuerik ‘Frakton’, e bashkë me të edhe kompaninë ‘Melon’, nga Bullgaria. Po flasim për kompani të zhvillimit softuerik që kanë fokus zhvillimin e faqeve online, aplikacioneve mobile dhe inxhinieri të të dhënave. Ky zgjerim është pjesë e planeve të ‘Kin + Carta’, për t’u zgjeruar në Evropën Juglindore dhe plotëson ‘Kin + Carta Greece’, për të ndërtuar një qendër të re Evropiane që nxit zgjerimin në Evropën Qendrore dhe Veriore.
Në anën tjetër një lajm i mirë na vjen për përdoruesit e TUMBLR. Zyrtarë të kësaj kompanie kanë njoftuar përdoruesit e tyre se ata mund të qëndrojnë në këtë rrjet, pa shikuar reklama, duke paguar 4,99 dollarë në muaj ose duke blerë një vit shfletim pa reklama me një zbritje për 39.99 dollarë.
Për një moment po kthehemi në vitin 2013 atëherë kur Elon Musk, pati prezantuar idenë e transportit me tren super të shpejtë përmes tubave të vakumit, një mënyrë e transportit që tejkalon shpejtësinë 1.000km/h. Fillimisht ideja ka qenë për transport të udhëtarëve por së fundmi kompania ‘Virgin Hyperloop’, kanë treguar se do të fokusohen tek transporti i ngarkesave apo mallërave. Një gjë e tillë sipas kësaj kompanie do të ndodhë si shkak i çështjeve globale të furnizimit dhe pengesat nga pandemia COVID-19. Një lajm i mirë për të gjithë ata që porosisin online sepse siç duket, me aplikimin e kësaj teknologjie nuk do të kemi vonesa në porositë tona.