Përmbledhjen teknologjike e fillojmë me telefona të rinj. Poco, që është një kompani e krijuar nën Xiaomi-n, e cila vepron si entitet i pavarur nga 2020-ta, këtë javë ka prezantuar telefonat e rinj. Poco X7 dhe Poco X7 Pro, janë telefonat që kombinojnë performancën e lartë me çmime të përballueshme. Poco X7 ka një çmim prej 298 euro, ndërkohë ndër specifikat e tij është kamera kryesore 50 MP dhe bateria prej 5110maH. Version Pro, ka ekran 6.67 inç, mbrojtje të avancuar, rezistencë ndaj ujit dhe pluhurit, kamerë kryesore 50 MP dhe selfie 20 MP, bateri 6.000 mAh dhe ka çmim fillestar prej 369 euro.
Pjesë e lajmeve teknologjike këtë javë, ishte edhe kompania e Elon Musk, Neuralink, e cila ka njoftuar se ka realizuar implantin e saj të tretë në trurin e një pacienti. Trajtimi i sëmundjeve si paraliza dhe ALS, janë ndër qëllimet e kompanisë. E sa i përket kësaj procedure, kujtojmë që vitin e shkuar kemi parë edhe se si një pacient i paralizuar, përmes çipit të Neuralink të implantuar në tru, ka mundur që të realizojë disa lëvizje bazike.
Nga inteligjenca artificiale këtë javë, kemi veçuar edhe Microsoft, kompani kjo e cila ka njoftuar për një investim prej 3 miliardë dollarësh në Indi, për zgjerimin e teknologjive të inteligjencës artificiale dhe shërbimeve Cloud. Po këtë javë e kemi kuptuar edhe datën e ngjarjes së madhe të Samsung. ‘Galaxy Unpacked’ do të dal në treg më 22 janar, 2025, në San Jose, të SHBA-së dhe në këtë ngjarje Samsung do të na njoftojë edhe me produktet e tjera të reja.