Ashtu si rëndom, edhe gjatë kësaj jave kishim shumë të reja nga teknologjia, e ndër të tjera, kishim lajme shumë të mira nga teknologjia e integruar në shëndetësi. Është kompania amerikane Cognixion, e cila ka njoftuar se po sjellë një pajisje jo-invazive të drejtuar nga teknologjia e Inteligjencës Artificiale (AI), me ndërfaqe tru-kompjuter (BCI. E ëmëruar Axon R, kjo pajisje ndihmon pacientët me sëmundje neuro-degjenerative progresive të neuroneve motorike, e cila shkakton humbje të ngadaltë të lëvizjes së vullnetshme (ALS), të komunikojnë duke përdorur sinjale të trurit.
Ndërkohë është pikërisht AI, që po ndihmon edhe në zbulimin e kancerit të lëkurës. Kompania britanike Skin Analytics, ka krijuar aplikacionin që e kanë quajtur DERM dhe i cili po përdor inteligjencën artificiale për të diagnostikuar kancerin e lëkurës përmes fotove të bëra me smartphone (Telefona të mençur). Me një saktësi prej 98.8%, aplikacioni tashmë është miratuar nga rregullatorët evropianë dhe po përdoret në 21 qendra mjekësore në Britani. Bëhet e ditur se deri me tani, aplikacioni ka ndihmuar në diagnostikimin e mbi 13.000 pacientëve.
Këtë javë kishim edhe një zbulim nga Japonia. Është agjencia kombëtare e kërkimit dhe zhvillimit japonez (RIKEN), shkencëtarët e së cilës, kanë zhvilluar një plastikë të biodegradueshme që tretet në ujin e kripur, pa prodhuar mikroplastikë ose CO₂. Ky material inovativ mund të përdoret për paketim dhe pajisje mjekësore, duke ndihmuar në reduktimin e ndotjes plastike në oqeane dhe në mjedis.







