Përmbledhjen javore të lajmeve nga teknologjia e fillojmë me kompaninë Apple, e cila pati paralajmëruar se po heqë dorë nga modeli iPhone Plus, mirëpo një të ngjashëm megjithatë do e kemi së shpejti në treg nga kjo kompani. Nga viti 2025, në vend të iPhone Plus, do të kemi iPhone 17 Slim që pritet të ketë ekran 6.6 inç me rezolucion 1260×2740 piksel. Ky model gjithashtu, do të marrë çipin 5G dhe për të qenë model i suksesshëm i kompanisë, duhet të përbëjë rreth 15 % të shitjeve totale të telefonave inteligjentë të Apple.
Nga inteligjenca artificiale kemi veçuar të reja edhe nga OpenaAI, kompani kjo e cila me lansimin e produktit të ri, po e sfidon gjigandin e kërkimit, Google. OpenAI zbuloi gjatë kësaj jave një motor të kërkimit të quajtur SearchGPT, me të cilin përdoruesit mund të gjejnë përgjigje të shpejta dhe të sakta. Produkti i cili aktualisht është një prototip, përfaqëson një sfidë të drejtpërdrejtë me Google, që gjithashtu ka tentuar të aplikojë inteligjencën artificiale gjeneruese në kërkimet në internet.
Të reja këtë javë patëm edhe nga robotika. Shefi i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka njoftuar se nga viti 2025, do të nisë prodhimin dhe përdorimin e robotëve humanoidë. Musk ka bërë të ditur se robotët që imitojnë njerëzit në pamje dhe lëvizje, do të shfrytëzohen fillimisht në Tesla e pastaj do të dalin në treg, në vitin 2026.







