Nga inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike, te zbulimet shkencore dhe në mjekësi, bota e teknologjisë ka sjellë edhe këtë javë zhvillime të shumta. Një ndër zhvillimet më të rëndësishme vjen nga Gjermania, e cila ka nisur testimin e një rrjeti të ri të komunikimit kuantik, me synimin për të rritur sigurinë e të dhënave dhe për të mbrojtur institucionet nga sulmet kibernetike. Nisma vjen pas shtatë vitesh kërkimesh dhe një investimi prej 125 milionë eurosh. Teknologjia mundëson krijimin e çelësave të posaçëm të enkriptimit dhe identifikimin e përpjekjeve të mundshme për përgjim, duke synuar mbrojtjen e komunikimeve shtetërore, bizneseve dhe infrastrukturës kritike.
Ndërkohë, një shqetësim vjen për përdoruesit e telefonave inteligjentë që lidhet me një dobësi serioze në sistemin Android, të njohur si “SMS of Death”. Kjo cenueshmëri mund të shkaktojë bllokimin e telefonit përmes një mesazhi posaçërisht të krijuar për të dëmtuar të dhënat e telefonave të mençur, duke ndikuar edhe në sistemin që menaxhon telefonatat dhe potencialisht në komunikim me numrat emergjentë. Problemi është identifikuar në disa pajisje Google Pixel dhe Samsung Galaxy me versione të Android nga 12 deri në 16, ndërsa Google e ka klasifikuar si kritik. Përdoruesve u rekomandohet të instalojnë përditësimet më të fundit të sigurisë për të mbrojtur pajisjet e tyre.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm vjen nga Kina, e cila ka miratuar implantin e parë invaziv tru-kompjuter për përdorim komercial në fushën mjekësore. Pajisja, e quajtur NEO dhe e zhvilluar nga kompania Neuracle Medical Technology, synon të ndihmojë personat me paralizë të rifitojnë një pjesë të lëvizjeve të duarve. Implanti regjistron sinjalet e trurit dhe i shndërron ato në komanda për një dorezë robotike, duke u mundësuar pacientëve të hapin dhe mbyllin dorën për të kapur objekte. Por, inteligjenca artificiale po dëshmon potencialin e saj edhe në mbrojtje të natyrës. Studiuesit në Universitetin e Massachusetts kanë zhvilluar dy programe që përdorin analizën e tingujve, për të identifikuar dhe numëruar bletët, pa pasur nevojë për kapjen apo lëndimin e tyre. Teknologjia arrin të dallojë gumëzhimën e bletëve të mjaltit, e në testimet e realizuara, programet kanë arritur një saktësi prej 93 deri në 97 për qind. Kjo metodë shihet si një alternativë më e qëndrueshme ndaj kurtheve tradicionale, të cilat shpesh shkaktojnë shfarosjen edhe të insekteve të tjera.







