Inteligjenca artificiale dhe pajisjet inteligjente po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e jetës sonë të përditshme, e këtë na dëshmoi edhe kjo javë që e lamë pas. Apple po përgatitet të sjellë syze inteligjente që synojnë të funksionojnë si një lloj asistenti personal. Përmes kamerave, inteligjencës artificiale dhe Siri-t, këto syze mund të identifikojnë objekte, përkthejnë tabela, japin informacione për ambientin dhe të kujtojnë gjëra që përdoruesi i ka parë më herët.
Por, derisa teknologjia po bëhet më e fuqishme, po shtohen edhe shqetësimet. Vetëm gjatë vitit 2026 janë raportuar mbi 1,600 raste ku sistemet e AI-së kanë vepruar në mënyra të papritura, duke anashkaluar udhëzime apo masa sigurie. Ekspertët kërkojnë më shumë kontroll dhe monitorim, pasi vendimet e AI-së, jo gjithmonë përputhen me atë që kërkon përdoruesi.
Edhe rrjetet sociale kanë qenë në qendër të debatit këtë javë. Meta po përballet me presion të madh për mënyrën se si platformat e saj ndikojnë tek të miturit, ndërsa propozohen kufizime për kohën e përdorimit, njoftimet gjatë shkollës dhe përdorimin e disa funksioneve që mund të ndikojnë te ‘mirë-përdorimi’ i rrjeteve sociale nga ana e të rinjve.







