Bamirësia është një nga format më të fuqishme të solidaritetit njerëzor, përmes së cilës individët dhe komunitetet mund t’u dalin në ndihmë atyre që përballen me vështirësi dhe kanë nevojë për mbështetje.
Prandaj, më 5 shtator shënohet “Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë”, e caktuar nga Kombet e Bashkuara me qëllim promovimin e bamirësisë, humanizmit dhe solidaritetit në mbarë botën. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e ndihmës ndaj njerëzve në nevojë dhe për rolin që bamirësia mund të ketë në përballimin e varfërisë, krizave humanitare dhe sfidave të ndryshme sociale. Njëkohësisht, ajo shërben si thirrje për individët, organizatat dhe institucionet që të kontribuojnë në krijimin e një shoqërie më solidarizuese dhe më gjithëpërfshirëse. Bamirësia nuk nënkupton vetëm kontributin financiar. Ajo mund të shprehet edhe përmes vullnetarizmit, dhurimit të ushqimit, veshmbathjeve, gjakut apo përmes çdo veprimi tjetër që mund t’i lehtësojë jetën dikujt në nevojë.
Në këtë frymë solidariteti dhe humanizmi, shqiptarët kanë një nga shembujt më të fuqishëm për t’u frymëzuar: Nënë Terezën. E lindur shqiptare dhe e njohur në mbarë botën për përkushtimin e saj ndaj njerëzve në nevojë, ajo e shndërroi dashurinë, dhembshurinë dhe shërbimin ndaj tjetrit në mision të jetës. Figura e saj mbetet një dëshmi se humanizmi nuk njeh kufij dhe se edhe një gjest i thjeshtë, kur bëhet me zemër, mund të sjellë ndryshim të madh në jetën e dikujt.







