Edhe kjo javë na solli shumëçka nga fusha e teknologjisë. Në Australi, kompania Meta ka mbyllur mbi 750 mijë llogari në Facebook dhe Instagram, që dyshohet se u përkisnin të miturve nën moshën 16 vjeç.
Ndërkohë, në Tajvan, një sulm kibernetik ndaj institucioneve qeveritare është kryer me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, duke prekur dhjetëra sisteme dhe llogari.
Teknologjia po përdoret edhe për qëllime më praktike. Google po punon që telefonat Pixel 11 të mund të kryejnë vetë disa detyra për përdoruesit, ndërsa WhatsApp po sjell “Scam Alert”, për të paralajmëruar njerëzit ndaj mashtrimeve online.
Po këtë javë, Apple ka futur iPhone X në listën e produkteve të vjetruara. Telefoni, i cili ndryshoi pamjen dhe mënyrën e përdorimit të iPhone, tashmë po largohet gradualisht nga mbështetja zyrtare.
Të gjitha këto zhvillime tregojnë se teknologjia po ecën me hapa të shpejtë, por siguria dhe mbrojtja e njerëzve mbeten shqetësime që nuk mund të anashkalohen.







