Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me raportin që është publikuar këtë javë e i cili nxori Samsung-un, si kompaninë me shitjet më të mëdha të telefonave të mençur. Dërgesat e telefonave nga Apple kanë pësuar një rënie prej 10 për qind në tremujorin e parë të vitit 2024. Bëhet e ditur se dërgesat globale të telefonave Samsung, janë rritur për 7.8 për qind gjatë periudhës janar-mars, duke e zënë kështu vendin e parë si prodhues global, ndërkohë në vendin e tretë e kemi kompaninë Xiaomi.
Inteligjenca Artificiale ka qenë krye temë edhe këtë javë. Kanadaja ka njoftuar se buxheti i ardhshëm do të përfshijë paketën e masave prej 2.4 miliardë dollarëve, të cilat do të investohen në sektorin e inteligjencës artificiale.
E të reja këtë javë kemi edhe nga robotika, fushë për të cilën është realizuar edhe një sondazh. Shumica e vendeve të G7-ës kanë ndjenja të përziera ndaj robotëve dhe kjo sipas një sondazhi të kryer nga United Robotics me afro 8.000 njerëz në SHBA, Francë, Kanada, Itali dhe Gjermani. Sipas këtij sondazhi, gati 80% e pjesëmarrësve kanë thëne se shqetësohen se robotët mund të zëvendësojnë njerëzit në profesionet e tyre, e mesatarisht 60 % në të pesë vendet ku u zhvillua sondazhi, nuk ndihen rehat me robotët dhe nuk duan që ata t’u ngjasojnë njerëzve, madje as të kenë tipare njerëzore, siç janë gjymtyrët apo fytyra.