Teknologjia po vazhdon të sjellë risi të mëdha në disa industri, nga telefonat inteligjentë e deri te filmat dhe makinat elektrike. Kompania OnePlus ka zbuluar detaje për telefonin e ri kompakt OnePlus 15T, i cili pritet të prezantohet gjatë këtij muaji. Pajisja do të ketë bateri të fuqishme prej 7,500 mAh me karikim të shpejtë 100W dhe karikim pa tela 50W, mbrojtje të avancuar nga uji e pluhuri si dhe një kamerë telefoto periskopike të përmirësuar.
Një pajisje e prezantuar në panairin Mobile World Congress në Barcelonë, po cilësohet si një lloj “smartphone për kafshët”. Pajisja në fjalë vendoset në qafën e qenve ose maceve dhe lidhet me telefonin e pronarit përmes aplikacionit, duke mundësuar komunikim zanor në të dy drejtimet dhe analiza të sjelljes së kafshës me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Në sektorin e komunikimit satelitor, SpaceX ka riemërtuar shërbimin e saj Direct-to-Cell në Starlink Mobile, i cili synon të sjellë internet satelitor direkt në telefonat e zakonshëm. Teknologjia do të përdorë satelitët V2 si “kulla celulare në hapësirë” dhe pritet të fillojë përdorimin nga mesi i vitit 2027, për të eliminuar kështu zonat pa sinjal celular.
Në anën tjetër, prodhuesi italian i makinave sportive Ferrari ka publikuar pamjet e para të veturës së tij të parë plotësisht elektrike, të cilin e kanë emërtuar Ferrari Luce. Modeli i ri pritet të ketë hapësirë për katër pasagjerë dhe debutimi i kësaj makine konsiderohet një hap i rëndësishëm për të ardhmen elektrike të kompanisë.







