Rëndësia e fjalës së lirë dhe fuqia e saj qëndron në forcimin e demokracisë dhe në krijimin e mirëkuptimit mes njerëzve, duke mobilizuar komunitetet dhe duke sjellë perspektiva të reja që mund të çojnë drejt ndryshimeve pozitive. Andaj për të vlerësuar rëndësinë e fjalës, data e sotme 15 mars, në mbarë botën, shënon “Ditën Botërore të Fjalimit”, një iniciativë globale që feston fuqinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes. Kjo ditë u themelua në vitin 2015, nga Simon Gibson gjatë Forumit Demokratik të Athinës. Në më shumë se 100 vende organizohen aktivitete të ndryshme publike dhe virtuale, ku studentë, debatues, liderë komuniteti dhe qytetarë të zakonshëm mbajnë fjalime që synojnë të frymëzojnë ndryshim dhe dialog në të mirë të shoqërisë.
Në një botë ku zërat shpesh mbeten të padëgjuar, “Dita Botërore e Fjalimit” na shërben si një kujtesë e fuqishme se çdo ide dhe çdo fjalë ka vlerë. Kjo ditë i fton njerëzit të dalin përpara, të ndajnë mendimet e tyre dhe të besojnë se edhe një fjalim i vetëm mund të ndezë një ide, të frymëzojë të tjerët dhe të sjellë ndryshim për të mirë në dobi të shoqërisë.







