Inteligjenca artificiale po avancon me ritme të shpejta, duke sjellë njëkohësisht inovacion dhe shqetësime etike. DeepSeek pritet të lansojë modelin e ri V4, i cili sipas testeve të brendshme ofron aftësi shumë të avancuara në kodim dhe mund të tejkalojë edhe modele sikurse GPT i OpenAI. Megjithatë, kujtojmë që DeepSeek, po përballet me kritika ndërkombëtare lidhur me sigurinë dhe privatësinë e të dhënave.
Finlanda po shihet si shembull pozitiv në përballje me sfidat e epokës digjitale. Vendi ka futur në shkolla edukimin mbi inteligjencën artificiale që në moshë të hershme, me qëllim që fëmijët të mësojnë të dallojnë lajmet e rreme, imazhet dhe videot e krijuara nga AI. Autoritetet theksojnë se edukimi mediatik është thelbësor për mbrojtjen e demokracisë dhe krijimin e qytetarëve të informuar.
Në fushën e neuroshkencës, studiuesit kanë arritur një hap revolucionar duke rikrijuar imazhe nga ëndrrat njerëzore përmes analizës së aktivitetit të trurit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale. Ky zbulim i hapë rrugë të re studimit të memories, imagjinatës dhe shëndetit mendor, por njëkohësisht ngre dilema serioze mbi etikën dhe privatësinë e mendjes njerëzore. Përparime të mëdha po shënohen edhe në mjekësi.
Shkencëtarët në Universitetin e Tel Avivit kanë printuar në 3D një zemër njerëzore me enë gjaku, duke përdorur qeliza nga vetë pacienti. Edhe pse ende nuk është funksionale, kjo arritje konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt transplantimeve të personalizuara dhe zgjidhjes së mungesës globale të organeve.







