Kjo javë ka qenë e pasur me zhvillime teknologjike, nga pajisjet inovative deri te zbulimet shkencore dhe trendet globale të kërkimeve online. Xiaomi po përgatitet të prezantojë telefonin e saj të parë me tre palosje, të quajtur Mix Trifold, i cili pritet në treg në tremujorin e tretë të vitit 2026 dhe do të jetë i pajisur me çip Snapdragon 8 dhe dizajn të ngjashëm me Huawei Mate XT Ultimate. Ndërkohë, Apple ka lansuar veçorinë Apple Music Replay, që u jep përdoruesve statistika vjetore dëgjimi, ku kënga më e dëgjuar për 2025 rezulton kënga e titulluar “APT” e interpretuar nga ROSÉ dhe Bruno Mars. Google ka integruar modelin e inteligjencës artificiale Gemini në Google Maps, duke sjellë navigim më të zgjuar me komanda zanore dhe sugjerime të personalizuara.
Nga hapësira, roveri Perseverance i NASA-s ka regjistruar sinjale që sugjerojnë vetëtima në Mars, një zbulim i rëndësishëm ky për studimet atmosferike dhe misionet e ardhshme. Ndërkohë, raporti global “Year in Search 2025” tregon se termi me rritjen më të madhe të kërkimeve ka qenë chatbot-i Gemini, ndërsa në gastronomi ka dominuar Hot Honey, e në sport interesimi më i madh ka qenë për FIFA Club World Cup, me Paris Saint-Germain si skuadra më e kërkuar.







