Edhe kjo javë na ka sjellë shumë inovacione. Gjiganti korean ka konfirmuar se seria e re Galaxy S26, do të sjellë përmirësime të mëdha përmes inteligjencës artificiale të avancuar dhe çipave të personalizuar. Pajisjet do të përdorin procesorin Exynos 2600 me teknologji 2 nm dhe në disa tregje Snapdragon 8 Elite Gen 6.
Ndërkohë, po këtë javë, shkencëtarët japonezë kanë zbuluar ekzistencën e një grupi të tretë dhëmbësh, të cilët mund të aktivizohen për të rigjeneruar dhëmbë të rinj. Një ilaç eksperimental që synon një gjen specifik, ka dhënë rezultate të suksesshme tek kafshët, duke hapur rrugën për një revolucion në stomatologjinë rigjenerative.
Po këtë javë, një ekip shkencëtarësh ka zhvilluar një mjet të avancuar forenzik që mund të parashikojë moshën dhe tiparet fizike të një personi nga ADN-ja, me saktësi brenda tre vjetëve. Projekti VISAGE (Atributet e Dukshme përmes Gjenomikës) përdor analizën e metilimit të ADN-së për të përcaktuar moshën dhe origjinën biogjeografike të individëve. Ky zhvillim përmirëson ndjeshëm hetimet policore, duke ngushtuar rrethin e të dyshuarve dhe përfaqëson një përparim të madh në gjenetikën forenzike.
Nga lajmet vendore, veçojmë këtë javë suksesin e Elita Hajrizit, e cila është shpallur një nga mentoret më të mira në botë, duke fituar çmimin “Outstanding Mentor Award”, në garën globale FIRST Global Challenge.







