Edhe kjo javë na ka sjellë shumë të reja nga fusha e teknologjisë. Meta po teston një veçori të re në WhatsApp, të quajtur “Ask Meta AI”, që i lejon përdoruesit të verifikojnë lajmet brenda aplikacionit. Mjafton të dërgohet një përmbajtje e dyshimtë dhe inteligjenca artificiale do të japë një përgjigje mbi saktësinë e saj.
Nga ana tjetër, një grup studiuesish në Mbretërinë e Bashkuar, po këtë javë, ka krijuar një stetoskop të pajisur me AI, që analizon zemrën në kohë reale dhe identifikon probleme si ritmet jonormale dhe defektet e valvuleve. Testuar me mbi 12.000 pacientë, pajisja ka rezultuar më efektive se metodat tradicionale.
Në një zbulim tjetër në SHBA, robotë që imitojnë pamjen dhe erën e lepujve po përdoren për të joshur dhe kapur gjarpërinjtë gjigantë, të cilët kanë zhdukur mbi 95% të gjitarëve të vegjël, në disa zona të Floridës. Me 120 robotë në terren, eksperimentet po japin shenja suksesi në mbrojtjen e ekosistemit.
Ndërkohë, të reja këtë javë kemi edhe nga TikTok. Aplikacioni ka përmirësuar sistemin e mesazheve duke shtuar mesazhe zanore, ndarje të imazheve dhe videove deri në një minutë. Përdoruesit mund të dërgojnë deri në nëntë foto apo video njëherësh, me qëllim për ta bërë komunikimin më praktik dhe të ngjashëm me aplikacionet e tjera të bisedave.







