Policia e Kosovës sot shënon 25-vjetorin e themelimit, duke kujtuar rrugëtimin e saj ndër vite, si një ndër institucionet më të besuara në vend, mirëpo të lavdëruara edhe në rajon e më gjerë.
Që nga viti 1999, Policia e Kosovës ka kaluar përmes sfidave të shumta, duke u zhvilluar në një forcë profesionale, shumë etnike dhe moderne, në shërbim të rendit, sigurisë dhe ligjit. Me mijëra gra e burra me uniformë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Me këtë rast, janë organizuar aktivitete përkujtimore dhe solemne, për të nderuar punën dhe sakrificat e policëve ndër vite si dhe për të reflektuar mbi rolin e rëndësishëm që ka kjo forcë, në ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe demokratike.
25 vjet, Policia e Kosovës mbetet një histori suksesi dhe besimi mes qytetarëve dhe atyre që mbrojnë rendin dhe ligjin.







