Zhvillimet teknologjike po ecin me hapa të mëdha dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë të përditshme. Edhe java që po e lëmë pas, na ka sjell shumëçka nga kjo fushë. Google ka lansuar një funksion të ri të Inteligjencës Artificiale që lejon përdoruesit të provojnë rroba virtualisht, duke ngarkuar një foto të trupit të tyre. Ky opsion është aktualisht në dispozicion në SHBA përmes Google Search, Shopping dhe Images. Funksioni “Try it on”, mundëson vizualizimin personal të veshjeve e së shpejti do të ofrohen edhe ide për kombinime veshjesh përmes teknologjisë vizuale gjeneruese. Në anën tjetër, Snapchat ka prezantuar funksionin ‘Home Safe’ (Sigurt në shtëpi), i cili njofton automatikisht miqtë se keni arritur në shtëpi shëndoshë e mirë, pa pasur nevojë të dërgoni mesazh. Ky funksion aktivizohet në Snap Map dhe funksionon vetëm për kontaktet që kanë të ndarë vendndodhjen me ju.
Në Danimarkë, studentë nga Universiteti i Aalborgut, kanë ndërtuar një dron hibrid që fluturon, zhytet në ujë, manovron nën ujë dhe ngrihet sërish në ajër, pa ndërprerje. Droni është prodhuar me printer 3D dhe funksionon përmes një sistemi helikash të përshtatshme sipas mjedisit ajër/ujë. Ndërkohë, një studim nga Universiteti Carnegie Mellon, ka bërë një zbulim të ‘frikshëm’. Ky studim zbuloi se ruterët e zakonshëm Wi-Fi mund të gjurmojnë lëvizjet e njerëzve brenda një hapësire, pa pasur nevojë për kamera apo sensorë shtesë. Sinjalet Wi-Fi analizohen për të përllogaritur vendndodhjen dhe lëvizjet, gjë që ka ngritur shqetësime për privatësinë dhe etiken e përdorimit të këtyre teknologjive.







