Atmosferë elektrizuese, energji pa fund dhe një publik entuziast shënuan hapjen madhështore të edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, që tradicionalisht mbahet në zemër të Prishtinës.
Festivali u hap me një performancë spektakolare nga Dua Lipa, e cila u ngjit në skenë për të sjellë për herë të parë në Kosovë hitin e saj të ri, “Training Season”, duke ndezur menjëherë turmën. Me një prani skenike mbresëlënëse dhe vokal të fuqishëm, ajo dëshmoi sërish pse është një prej yjeve më të mëdha të muzikës botërore.
Një nga momentet më të ndjera të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Era” nga legjendarët Gjurmët, të cilën Dua e këndoi së bashku me babain e saj, Dukagjin Lipa, para mijëra njerëzve që këndonin në kor dhe përjetonin emocionin e një momenti të rrallë artistik e familjar.
Gjatë performancës që zgjati plot dy orë, Dua Lipa jo vetëm këndoi, por edhe vallëzoi pandërprerë, duke dhuruar një shfaqje të jashtëzakonshme, me koreografi dinamike, efekte vizuale dhe një energji të cilën vetëm ajo di ta sjellë në skenë.
Sunny Hill 2025 nisi fuqishëm, duke premtuar një fundjavë të paharruar për të gjithë adhuruesit e muzikës dhe Dua Lipa, si gjithmonë, nuk zhgënjeu.
Pas një nate të parë të paharruar, Sunny Hill vazhdon me natën e dytë të festivalit të shtunën, më 2 gusht, ku skena do t’i përkasë një tjetër superylli botëror, Shawn Mendes. Me pritshmëri të mëdha dhe një publik tashmë të ngrohur, nata e dytë pritet të sjellë po ashtu një performancë të fuqishme dhe emocione të reja.
Sunny Hill Festival ka nisur më fuqishëm se kurrë, duke e shndërruar edhe një herë Prishtinën në kryeqytetin e muzikës moderne.







