Bota e teknologjisë dhe inovacionit po ecë me hapa të shpejtë, duke sjellë zbulime dhe zhvillime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë të përditshme. Edhe përgjatë kësaj jave, teknologjia solli shumëçka dhe nga pajisjet e reja, kemi veçuar telefonin e ri nga Samsung. Kompania në fjalë ka lansuar zyrtarisht serinë e telefonave mobil Galaxy S25 Edge dhe ky telefon karakterizohet nga një dizajn shumë i hollë dhe një kamerë e fuqishme 200 MP.
Të reja këtë javë patëm edhe nga Netflix. Platforma më e madhe e filmave ka prezantuar një funksion të ri kërkimi të bazuar në AI, përmes ChatGPT, që lejon përdoruesit të kërkojnë për përmbajtje përmes bashkëbisedimit. Përdoruesit mund të vendosin preferencat e tyre dhe inteligjenca artificiale do tu paraqesë rezultatet e kërkimit.
Ndërkohë, inteligjenca artificiale po mëton që të ‘përkthejë’ edhe gjuhën e kafshëve. Një kompani kineze e teknologjisë e quajtur Baidu, ka paraqitur një patentë në Administratën Kombëtare të Pronësisë Intelektuale të Kinës, për një sistem që mbledh të dhëna të kafshëve, si tingujt, sjelljet dhe sinjalet. Kjo teknologji, sipas kompanisë zhvilluese Baidu, synon të identifikojë emocionet e kafshëve dhe të përmirësojë komunikimin ndërmjet specieve. Për momentin, projekti është ende në fazë kërkimore dhe zhvillimore.
Nga robotika këtë jave kemi veçuar edhe Amazon, që ka prezantuar një robot të avancuar magazinimi. I quajtur Vulcan, roboti imiton ndjesinë e prekjes dhe mund të punojë 20 orë në ditë. Përmes këtij roboti, gjigandi i shitjeve online, synon të ndihmojë në punët e rënda dhe të reduktojë lëndimet e punëtorëve, por jo të zëvendësojë punonjësit. Një robot i tillë, siç bëhet e ditur, për momentin është në përdorim në një depo në SHBA dhe pritet që deri në vitin 2026, të zgjerohet edhe në depo tjera të kompanisë.







