Më 17 maj, bota shënon ‘Ditën Botërore të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit’, një datë e rëndësishme që nxit reflektimin mbi rolin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, në ndërtimin e një shoqërie moderne, të barabartë dhe të qëndrueshme.
Kjo datë është shpallur nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) dhe përkujton themelimin e këtij institucioni në po këtë datë të vitit 1865. Qëllimi i kësaj dite, është të rrisë ndërgjegjësimin global mbi përfitimet që sjell teknologjia në jetën e përditshme si dhe të adresojë sfidat e lidhura me qasjen, përfshirjen dhe barazinë digjitale.
Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, kjo ditë është një kujtesë se përfitimet e teknologjisë nuk duhet të mbeten privilegj, por të shërbejnë si një e drejtë për të gjithë – pavarësisht vendndodhjes, moshës apo statusit ekonomik.
Le të angazhohemi për një të ardhme ku teknologjia lidh njerëzit, fuqizon komunitetet dhe nxit përparimin për të gjithë.







