Edhe kjo javë ka qenë plot e përplot risi teknologjike. Lajmet mbi të rejat e kësaj fushe i fillojmë me Archiving App, që është veçori interesante që Google do të prezantojë në modelin më të ri Android 15. Kjo veçori do t’i lejojë përdoruesit e telefonave Android, të gjenerojnë më shumë hapësirë për të shkarkuar një aplikacion ose edhe për të ruajtur fotografi.
Të reja këtë javë kemi edhe nga Inteligjenca Artificiale. Një kompani e quajtur Overplay, së fundmi ka zhvilluar një aplikacion që e kthen videon në një lojë, duke përdorur Inteligjencën Artificiale (Al). Procesi është i thjeshtë dhe krejt çka duhet është që ta filmoni një video në telefonin tuaj dhe më pas ta shkarkoni atë në platformën Overplay.
Me Inteligjencën Artificiale këtë javë është marr edhe Google. Studiuesit e kompanisë në fjalë, së fundmi kanë publikuar një mori modelesh dhe idesh mes tyre edhe projektin VLOGGER, një mënyrë kjo, për ta shndërruar një imazh të palëvizshëm në një avatar të kontrollueshëm. Sipas studiuesve, një nga rastet kryesore të përdorimit të VLOGGER, është përkthimi i videove dhe krijimi i avatarëve për asistencë virtuale. VLOGGER nuk është aktualisht i qasshëm, por në bazë të disa demonstrimeve të publikuara shihet se ai lejon krijimin e avatarit dhe kontrollimin e tij vetëm me anë të zërit.
Këtë javë patëm edhe një rekord teknologjik, ku Intel prezantoi procesorin Core i9-14.900KS, i cili mund të arrijë deri në 6.2 Ghz duke e bërë procesorin desktop, më të shpejtë për konsumatorët dhe duke thyer edhe rekord të kësaj shpejtësie.