Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me një aplikacion të ri, i cili po ndihmon banorët e zonave të rrezikuara nga zjarret në SHBA, duke ju ofruar të rrezikuarve informacion të menjëhershëm mbi evakuimet, drejtimin e erës dhe zonat e prekura. Aplikacioni në fjalë është emërtuar “Watch Duty” dhe funksionon në 22 shtete, duke përdorur Inteligjencën Artificiale si dhe rrjete kamerash për të zbuluar zjarret para se ato të raportohen në media.
Të reja këtë javë kishim edhe nga Google, kompani kjo e cila ka zhvilluar një mjet të ri të Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar shkencëtarët bio-mjekësorë në kërkime dhe analiza. Mjeti i testuar tashme në Universitetin Stanford dhe Kolegjin Imperial në Londër, u ka ndihmuar studiuesve të identifikojnë trajtime të reja premtuese për sëmundje, siç është fibroza e mëlçisë.
Kur jemi tek Inteligjenca Artificiale, të reja këtë javë kemi edhe nga OpenAI, kompani kjo e cila ka njoftuar se shërbimi i saj ChatGPT, tani po përdoret nga 400 milionë njerëz çdo javë, një rritje e ndjeshme nga 300 milionë përdorues sa ishin në muajin dhjetor. Kompania me bazë në San Francisco nuk ka zbuluar se sa prej këtyre përdoruesve paguajnë për shërbimet premium ChatGPT+ ose ChatGPT Pro.
Po këtë javë që po e lëmë pas, ka ndodhur vjedhja më e madhe në histori të kriptovalutave. Hakerët kanë marrë 1.5 miliardë dollarë në Ethereum nga platforma Bybit. Kompania me bazë në Dubai ka premtuar rimbursimin e përdoruesve dhe po punon me autoritetet për të gjurmuar përgjegjësit.







