Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me Meta, kompani kjo e cila ka njoftuar këtë javë se po planifikon të shpenzojë deri në 65 miliardë dollarë, për të zgjeruar infrastrukturën e inteligjencës artificiale, duke përfshirë ndërtimin e një qendre të dhënash prej 2 gigavat dhe rritjen e punësimit. Ndërkohë, Google me veçorinë e re për mbrojtjen e llogarive, dëshmoi që është duke punuar me intensitet të lartë për të shtuar sigurinë e përdoruesve. Google ka prezantuar funksionin “Kontrolli i Identitetit”, veçori kjo e cila përmirëson sigurinë përmes verifikimit biometrik, bazuar në vendndodhje. “Kontrolli i Identitetit” mbron të dhënat personale, si aplikacionet bankare dhe rrjetet sociale. Të reja këtë javë kishim edhe nga robotika, ku shkencëtarët japonezë kanë zhvilluar një ekzo-skelet në formë doreze, që mëton të ndihmojë pianistët të luajnë në piano, më shpejt dhe me më shumë saktësi. Pajisja mund të lëvizë secilin nga pesë gishtërinjtë më shpejt, duke përmirësuar kështu performancën fizike dhe duke i mësuar muzikantëve modele komplekse të lëvizjeve në piano. Sipas shpikësve të kësaj doreze, pajisja mund të ndihmojë profesionistët që kanë nevojë, për një nivel më të lartë shkathtësie në punën e tyre.