Përmbledhjen javore e fillojmë me Apple, kompani kjo e cila ka pezulluar përkohësisht përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale për shkak të gabimeve të përsëritura, veçanërisht në përmbledhjet e lajmeve, teksa ka shtuar se përmbajtjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale do të rikthehen pas përmirësimeve.
Këtë javë edhe një vend tjetër ka vendosur që të ketë limit të moshës, për përdorim të rrjeteve sociale. Fjalën e kemi për Indonezinë, ku autoritetet atje kanë njoftuar se kjo ndërhyrje ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet digjitale. Sipas njoftimit, mosha 16 vjeç është caktuar që të jetë mosha kufizuese më e vogël, që një i mitur mund të hapë llogari në rrjetet sociale.
Nga teknologjia këtë javë kemi edhe një paralajmërim për një aplikacion shumë të rrezikshëm. Aplikacioni i rremë, i quajtur “Telegram Premium”, po përdor virusin e quajtur FireScam për të vjedhur të dhëna personale dhe financiare nga përdoruesit. Ky aplikacion ka alarmuar kompanitë teknologjike, të cilat bëjnë të ditur se i njëjti virus po shpërndahet jashtë dyqaneve zyrtare dhe po kërkon leje për të monitoruar aktivitetin e pajisjeve. Ekspertët këshillojnë përdoruesit që të shkarkojnë aplikacione vetëm nga burime të besueshme dhe asnjëherë jashtë dyqaneve zyrtare, pasi pasojat veçse dihen.