Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me TikTok, që pritet të ndalohet në SHBA, në vitin 2025, për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare. Gjykata Federale refuzoi ankesën e kompanisë, e cila tani synon ta çojë çështjen në Gjykatën Supreme. Mirëpo, platforma TikTok, ka nxitë shqetësime edhe në Kosovë. Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes ndaj sfidave të rrezikshme në TikTok, si sfida e “Supermanit”, që përbën kërcënim për fëmijët dhe të rinjtë: “Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm mbi përdorimin e rrjeteve të ndryshme sociale nga fëmijët e tyre dhe t’i ndihmojnë ata në identifikimin dhe ofrimin e ndihmës për shmangien e përfshirjes se tyre në lojërat e dëmshme dhe të rrezikshme. Policia e Kosovës është e angazhuar në mbështetje të komunitetit dhe të rinjve, për një përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale”, ka apeluar ndër të tjera Policia e Kosovës, teksa ka kërkuar gjithashtu angazhim shoqëror që të tregohemi të kujdesshëm kur është fjala për sfidat e rrezikshme të TikTok-ut.
Të reja javore kemi edhe nga kompania Apple, ku një gjykatë braziliane, javën që po e lëmë pas, ka anuluar vendimin që detyronte kompaninë Apple të lejojë përdoruesit të shkarkojnë aplikacione jashtë App Store, duke argumentuar se vendimi ishte disproporcional. Apple apeloi këtë vendim dhe javën e shkuar mori lajmin e fitimit të këtij procesi gjyqësor.
Po këtë javë, OpenAI ka prezantuar ChatGPT Pro, një version premium që ofron inteligjencë artificiale më të avancuar, me kosto mujore prej 200 dollarësh. Ky version sjell performancë më të mirë dhe vegla të reja, duke përfaqësuar një hap të madh në teknologjinë AI.







