Nga përmirësimet në pajisjet elektronike dhe shërbimet digjitale, deri te avancimet në kujdesin shëndetësor dhe hulumtimet mbi shëndetin mendor, janë këto temat kryesore të teknologjisë këtë javë. I fillojmë të rejat nga teknologjia me Samsung, kompani kjo nga e cila presim telefonin Galaxy S25 Slim. Krahas dizajnit të hollë, siç shkruajnë mediat botërore të teknologjisë, këtë javë S25 Slim mund të vijë me përmirësime të rëndësishme të kamerës, duke përfshirë një kamerë të tretë më të avancuar. Të reja javore kemi edhe nga Spotify. Platforma ka bërë të ditur se po zgjeron ofertën e librave audio. Spotify ka nënshkruar një partneritet me Bloomsbury Publishing, për të shtuar 1.000 tituj të rinj në katalogun e tij të librave audio. Ky hap është pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të përmirësuar ofertën për abonentët premium dhe për të rritur audiencën globale, e cila tani arrin mbi 615 milionë përdorues. Këtë javë që e lamë pas, Google është ballafaquar me disa probleme, pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka kërkuar kompanisë Google që të shesë shfletuesin Chrome dhe të ndalojë praktikat që forcojnë monopolin e saj për kërkim në internet. Kundër kësaj ka reaguar Google, që ka thënë se i kundërshton këto masa, duke pretenduar se kjo do të dëmtojë konsumatorët dhe bizneset nëse detyrohet të shesë Chrome. Për ti shpëtuar kësaj, Google do të ketë një shans për të paraqitur propozimet e veta në muajin dhjetor. Të reja këtë javë kemi pasur edhe nga inteligjenca artificiale, e cila sado që mbetet një e panjohur e madhe, ka filluar që të jap frytet e saj në ndihmë të mjekësisë. Një studim i fundit ka treguar se përdorimi i inteligjencës artificiale në ekokardiografi mund të përmirësojë shpejtësinë, cilësinë dhe efikasitetin e imazheve, duke ulur lodhjen e operatorëve dhe duke zvogëluar variabilitetin në interpretim. Sistemet e fuqizuara nga inteligjenca artificiale si Us2.ai dhe PanEcho ofrojnë automatizim në analizimin e strukturave kardiake, në sistemet ku ka mungesë teknikësh të specializuar. Këto sisteme treguan përfitime të dukshme, siç vërteton në një studim në Japoni, ku AI-ja mundësoi krijimin e imazheve me cilësi më të lartë dhe matje më të sakta.