Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me kompaninë Samsung, nga e cila së shpejti do të kemi një version special të modelit Galazy Fold Z. Telefoni i ri i kompanisë pritet të ketë një kamerë më të mirë se paraardhësit, pasi do të ketë një sensor kryesor 200 MP. Telefoni i ri besohet se do të ketë një panel të palosshëm 8″, një ekran mbulues 6.5″ dhe një trashësi 10.6 mm në gjendjen e tij të palosur. Ky telefon pritet të lansohet në fund të muajit shtator ose në fillim të muajit tetor.
Të reja javore kemi edhe nga Google Play. Tashmë përdoruesi mund të shkarkojë, instalojë dhe përditësojë disa aplikacione Android njëherazi. Më herët, Play Store mund të përpunonte vetëm një aplikacion në të njëjtën kohë, ndërsa tani mund ti përpunojë tre aplikacione.
Të gjithë po flasim e po përdorim inteligjencën artificiale, mirëpo a e keni menduar se sa përdorues aktiv ka ChatGPT brenda një jave?! Kompania OpenAI njoftoi se chatbot-i i saj ChatGPT, tani ka 200 milionë përdorues aktivë javor, që është dy herë më shumë në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar. Kur jemi tek OpenAI, kujtojmë që kompani të mëdha si Microsoft dhe Apple, janë në bisedime për të investuar në OpenAI dhe i vetmi detaj i njohur për këtë investim është se do të rrisë vlerën e OpenAI në më shumë se 100 miliardë dollarë.







