Përmbledhjen javore të lajmeve mbi teknologjinë e fillojmë me hyrjen në fuqi të Aktit të Bashkimit Evropian për Inteligjencë Artificiale. Akti konsiderohet gjerësisht si legjislacion i parë në botë që përpiqet të rregullojë Inteligjencën Artificiale për çdo kompani që përdorë sistemet e AI. Këto rregulla janë bazuar në katër nivele rreziku, si: pa rrezik, rrezik minimal, rrezik i lartë dhe sistemet e ndaluara të Inteligjencës Artificiale.
Kompania Apple së shpejti do të vendos në treg produkte të reja. Është muaji shtator, kur kompania do të zbulojë serinë e saj iPhone 16. Kompania në fjale në javën që po e lëmë pas ka shfaqur disa ngjyra të mundshme të modeleve të reja. Ka sugjerime që modeli bazë i iPhone-16, do të vijë me pesë opsione ngjyrash. Siç shihet nga fotografitë që janë publikuar nga kompania Apple, iPhone 16 do ketë ngjyrën e bardhë, të zezë, blu, jeshile dhe rozë.
Të reja këtë javë kemi edhe nga WhatsApp. Bëhet e ditur se aplikacioni po punon për një veçori të re që na lejon të ndajmë mesazhe zanore me Meta AI. Për momentin, vetëm disa testues beta me versionin më të fundit të WhatsApp, mund ta përdorin këtë veçori, për të dërguar mesazhe zanore mirëpo, më shumë përdorues do të kenë qasje në të, në javët e ardhshme.







