Që të kemi burime të mjaftueshme të ujit në të ardhmen, kursimi i tij sot është thelbësor. Për kursim të ujit, vazhdimisht bën apel edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, e cila vë theksin tek rëndësia e shpenzimit racional të ujit të pijshëm, sidomos përgjatë stinës së verës: “Hapat që ne ndërmarrim sot për kursim të ujit, janë të një rëndësie jetike për ne dhe fëmijët tanë”.
Nga KRU “Prishtina” gjithashtu na i sugjerojnë disa mënyra praktike për kursimin e ujit:
– Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj.
– Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat.
– Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet.
– Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm.
– Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët.
– Mos ujisni lulet, kopshtet dhe arat me ujë të pijes.
– Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit.
– Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.
“Nëse i përmbaheni këtyre rregullave të lartpërmendura, sidomos në këtë periudhë, Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” sh.a. do ta furnizojë me ujë të pijshëm secilin konsumatorë në mënyrë të barabartë dhe pa reduktime”, thuhet në faqen zyrtare të KRU “Prishtina”.
Dhe të mos harrojmë t’ia kujtojmë vetes dhe rrethit shoqëror që ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji, andaj ta kursejmë atë sepse vetëm kështu mund të ndihmojmë në ruajtjen e këtij burimi të çmuar, për brezat e ardhshëm.







